Mesazh nga Sh. T. Z. Ambasadori i Francës në Kosovë

Sh. T. Z. Olivier GUEROT, Ambasador i Francës në Kosovë

Që nga themelimi i saj në vitin 2016 me mbështetjen e Ambasadës së Francës, Shkolla Franceze në Prishtinë (EFIP) ka luajtur një rol thelbësor në promovimin e gjuhës dhe kulturës franceze në Kosovë. Si Ambasador i Francës në Kosovë, jam krenar që mbështes këtë institucion, i cili përmes mësimdhënies së tij forcon lidhjet ndërmjet Francës dhe Kosovës, ndërsa promovon shkëmbimin e njohurive, metodave pedagogjike dhe mundësive akademike midis dy vendeve tona.

EFIP u mundëson nxënësve kosovarë të mësojnë gjuhën frënge dhe të njohin vlerat franceze, ndërkohë që i përgatit për të zhvilluar aftësi për të lulëzuar në një botë evropiane dhe ndërkombëtare, falë një programi shumëgjuhësh të fortë dhe efikas. Gjithashtu, u ofron nxënësve francezë që jetojnë në Kosovë mundësinë për të vazhduar studimet pa ndërprerje, duke u mbështetur në rrjetin AEFE. EFIP vazhdon të rritet. Që nga shtatori 2024, shkolla është zgjeruar për të përfshirë edhe nivelin e gjimnazit, duke u mundësuar nxënësve të saj të përgatiten për maturën franceze – një portë e vërtetë drejt shumë universiteteve prestigjioze në Francë, Evropë dhe në mbarë botën.

Dëshiroj të përgëzoj ekipin arsimor të EFIP, i cili çdo ditë punon me pasion dhe përkushtim për t’u ofruar çdo nxënësi një mjedis të favorshëm për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të arritur sukses. Angazhimi i tyre është thelbësor për vazhdimin e kësaj aventure të mrekullueshme arsimore.

Sh. T. Z. Olivier GUEROT, Ambasador i Francës në Kosovë